Erjon Vishkulli është kthyer në Tiranë pas tre javësh qëndrimi në Itali, ku iu nënshtrua dy operacioneve për të shpëtuar shikimin në syrin e majtë. Për 28-vjeçarin nga Elbasani, trajtimi vijon dhe shpresa mbetet te ndërhyrja e ardhshme, ndërsa kontrollin e radhës e ka më 17 dhjetor.
Në një intervistë për A2 CNN, Vishkulli tregoi se kontrolli i fundit i ka dhënë shpresë, pasi ka arritur të perceptojë dritën. Megjithatë, siç shprehet edhe vetë, ende nuk ka siguri për rikthimin e plotë të shikimit.
“Për momentin fjalët janë të mira për syrin, por siguri nuk kemi. Presim ndërhyrjet edhe, shpresoj të bëhet më e mira. Kontrolli i fundit për syrin më dha shpresë, sepse ndieja dritë. Operacioni i radhës, që është kryesori, aty besoj do të shoh shenjat e para. Më 17 dhjetor kam kontrollin”, u shpreh ai.
I riu tha se pjesa e mbetur në sy është hequr gjatë operacionit të parë në Itali. Javët e kurimit i përshkroi si ditët më të vështira të jetës, por theksoi se mbështetja e miqve dhe e qytetarëve e ka ndihmuar të gjejë forcë për ta përballuar këtë periudhë.
“Sa të kem shqiptarët, është motivi më i madh. Kam pasur këdo, miq, shokë, shqiptarë që kanë ardhur të më takojnë, mesazhe pa fund, telefonata, që më kanë dhënë motivim të madh”, tha Vishkulli.
Kur u pyet për 24 tetorin, ditën kur u dëmtua gjatë protestës, ai u shpreh se nuk dëshiron ta rikthejë në kujtesë atë moment. Pavarësisht pasojave, 28-vjeçari tha se nuk është penduar për pjesëmarrjen.
“S’dua ta kujtoj atë ditë. Asnjë pendesë që mora pjesë”, deklaroi ai.
Kthimi i tij është pritur me emocion nga miqtë, të cilët pasditen e sotme janë organizuar me makinat e tyre për ta takuar pas javëve të kaluara në Itali.