Selin Bollati ka reaguar ndaj aludimeve në rrjetet sociale për një krizë në marrëdhënien e saj me Gimbon. Përmes një postimi në Instagram, ajo ka ndarë një koment nga platforma X, ku mungesa e unazave në disa postime dhe lëvizjet e çiftit interpretoheshin si shenja të një krize.
Selin e ka kundërshtuar këtë mënyrë të të nxjerrit përfundime për jetën e saj private, duke theksuar se lidhja me partnerin nuk përcaktohet nga një unazë.
“Një gjë është e sigurt, që marrëdhënien time dhe të partnerit tim nuk e mban unaza!!”, ka shkruar ajo.
Në reagimin e saj, Selin është ndalur edhe te mundësia e një ndarjeje, duke e trajtuar si një situatë hipotetike dhe jo si një njoftim për marrëdhënien e saj. Ajo ka theksuar se, nëse një ditë do të përballeshin me një vendim të tillë, do të ishin vetë ata që do të flisnin publikisht.
“Të ndahesh nuk është fundi i botës. Sot jetojmë në demokraci dhe njerëzit janë të lirë të marrin vendime të ndryshme për jetën e tyre. Ndaj, nëse jeta do të më përballë me një sfidë të tillë (që uroj të mos ndodhë kurrë), unë dhe partneri im kemi pjekuri mjaftueshëm, edhe atë emocionale, për të reaguar publikisht VETË NE për vendimmarrjet tona”, është shprehur Selin.
Ajo ka sqaruar se reagimi nuk synon t’u japë vëmendje personave që i cilëson dashakeqës apo profileve që, sipas saj, janë false. Qëllimi, siç shkruan, është të qetësojë ndjekësit dhe mbështetësit që shqetësohen nga këto aludime.
Në fund, Selin ka ndarë një mesazh për lirinë e secilit për ta jetuar jetën sipas zgjedhjeve të veta, me dashuri, ndarje, ribashkime, gabime dhe fillime të reja.
“Është jeta juaj dhe ju vendosni si ta jetoni”, ka përfunduar ajo.