Një 20-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor të ndodhur gjatë natës mes të enjtes, 29 tetor, dhe të premtes, 30 tetor, në Itali.
Viktima është identifikuar si Thomas Qirjaj, nga provinca e Piacenzës. I riu do të mbushte 21 vjeç në muajin dhjetor. Ai kishte lindur në Piacenza, në një familje shqiptare të vendosur prej vitesh në Caorso, ku jetonte me prindërit dhe ishte fëmijë i vetëm.
Sipas mediave italiane, 20-vjeçari po udhëtonte në autostradën A1 së bashku me katër miq, me një automjet tip Volvo me targa zvicerane, në drejtim të Milanos.
Pasi kaluan pikën e pagesës në Melegnano, makina me të cilën udhëtonin të rinjtë nisi të devijonte nga trajektorja dhe përfundoi duke u përplasur me barrierën ndarëse në mes të autostradës. Ende nuk dihet nëse shkak i ngjarjes ishte një defekt teknik apo një aksident pa përfshirjen e mjeteve të tjera.
Pas përplasjes, Thomas zbriti nga automjeti për të vendosur trekëndëshin sinjalizues në rrugë, por në atë moment u përplas nga një SUV, që drejtohej nga një 25-vjeçar nga Modena. Ky i fundit nuk e vuri re praninë e të riut në karrexhatë deri në momentin e fundit.
Në vendngjarje mbërritën me urgjencë ambulancat dhe ekipet e shpëtimit, por gjendja e 20-vjeçarit u konstatua menjëherë si kritike, për shkak të plagëve të rënda të marra nga përplasja me SUV-në dhe rrëzimi në asfalt.
I riu u transportua me urgjencë, në gjendje të rëndë, drejt spitalit të afërt Predabissi, ku fatkeqësisht ndërroi jetë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar jetën.
Për zbardhjen e rrethanave të aksidentit po hetojnë Policia Rrugore e Guardamiglio-s dhe Prokuroria e Lodit. Hetuesit do të rindërtojnë me detaje dinamikën e ngjarjes, ndërsa drejtuesit të SUV-së do t’i kryhen edhe testet toksikologjike, sipas procedurës standarde në raste të tilla.