Monika Lubonja ka publikuar në Instagram një video me një mesazh ironik, që duket si përgjigje ndaj komenteve për të. Aktorja shfaqet e buzëqeshur, ndërsa mbi pamje shkruhet:
“A dëgjove çfarë thanë për ty?”
“Jo, unë nuk e flas gjuhën e tyre.”
Postimin e shoqëron një audio me lehje qensh, një zgjedhje që i jep mesazhit një ton thumbues dhe mund të lexohet si ironi ndaj atyre që e kanë sulmuar apo gjykuar.

Videoja vjen pas polemikave që shoqëruan publikimin në rrjet të materialeve intime, për të cilat aktorja reagoi publikisht në fillim të tetorit. Në deklaratën e saj të 6 tetorit, Lubonja tha se nuk kishte pasur dijeni për filmimet dhe nuk kishte dhënë pëlqimin për regjistrimin apo shpërndarjen e tyre. Ajo njoftoi gjithashtu se i ishte drejtuar drejtësisë.
Në postimin e ri, Lubonja nuk përmend persona konkretë dhe nuk i referohet drejtpërdrejt ngjarjes. Megjithatë, mesazhi dhe audioja e zgjedhur lënë të kuptohet një përgjigje ironike ndaj zërave kritikë, pa hyrë në një tjetër sqarim publik.