Babë e bijë, Adonis dhe Dolora Demiri do të përcillen ditën e sotme për në banesën e fundit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të tragjedisë së ndodhur në në Dermiaj të Gjilanit janë në vijim.
Të tronditur nga ngjarja, familja Demiri la njoftuar se ceremonia mortore për 27 vjeçarin dhe foshnjën 3 muajshe do të zhvillohet ditën e sotme.
“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë njoftojmë të gjithë të afërmit, miqtë dhe dashamirët se më datë 01.11.2026 kanë ndërruar jetë Adonis dhe Dolora Demiri. Ceremonia e varrimit të të ndjerëve do të mbahet nesër, më datë 03.11.2026, pas faljes së namazit të ikindisë, në varrezat e fshatit Demiraj. Për kohën dhe vendin e të pamës, të afërmit, miqtë dhe dashamirët do të njoftohen pas përfundimit të ceremonisë së varrimit.”, thuhet në njoftimin e familjarëve.
Ngjarja tragjike ndodhi të dielën që lamë pas, kur 27-vjeçari dhe foshnja tremuajshe u gjetën pa shenja jete, derisa si i dyshuar është arrestuar babai i të riut, Brahim Demiri 65-vjeçar, ndaj të cilit dje u caktua dhe masa e paraburgimit.
Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se ky i fundit i ka marrë jetë të birit të tij, pas një konflikti fizik, ndërsa mbesa e tij, vajza tremuajshe u gjet e gjakosur dhe pa shenja jete në dhomën e gjumit. Dyshimet janë se i riu, në rrethana të paqarta, i mori jetën foshnjës së tij. Për rrjedhojë 65-vjeçari dyshohet të ketë vrarë të birin. Megjithatë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim dhe pritet për t’u parë se çfarë u bë shkak i tragjedisë familjare që tronditi jo vetëm Gjilanin por të gjithë shqiptarët, kudo që janë.