Dymbëdhjetë vite pas ndarjes nga jeta të Dr. Florit, malli për të mbetet i fortë te miqtë dhe bashkëpunëtorët me të cilët ndau muzikën dhe shumë kujtime. Më 17 nëntor, artisti i njohur, emri i vërtetë i të cilit ishte Florian Kondi, kujtohet edhe nga dy miqtë e tij të grupit “West Side Family”, Miri dhe Landi.
Në këtë përvjetor, ata kanë ndarë dedikime në rrjetet sociale në kujtim të artistit. Miri ka zgjedhur një fotografi bardhezi të Dr. Florit, krahas së cilës ka shkruar disa fjalë për mungesën që ndien çdo ditë.
“I dashur Flor, edhe pse ke 12 vjet i larguar nga kjo bota jonë e përditshme, ta dish që më mungon shumë, ditë për ditë më mungon, sepse ti ishe një shok i vërtetë, ishe një mik që më duhej gjithmonë”, shkruan ai.
Përtej bashkëpunimit në skenë, mesazhi i Mirit sjell në vëmendje miqësinë që i lidhte. Ai shprehet se, pavarësisht mungesës fizike, vazhdon ta ndiejë praninë e Florit dhe përpiqet të ruajë gjithçka që kanë përjetuar e mësuar së bashku.
“Shumë mall për ty, Flor”, e përmbyll Miri dedikimin e tij.
Dr. Flori u nda nga jeta më 17 nëntor 2014, duke lënë pas këngë dhe bashkëpunime që mbeten pjesë e kujtesës së publikut shqiptar. Për miqtë e tij, ky përvjetor rikthen mbi të gjitha mungesën e njeriut me të cilin ndanë ëndrrat, skenën dhe përditshmërinë.