Propofoli dyshohet se shkaktoi vdekjen e këngëtarit të njohur grek, George Mazonakis. Sipas medias greke Protothema, e cila citon burime të informuara mbi çështjen, raporti 30-faqësh i Laboratorit të Mjekësisë Ligjore dhe Toksikologjisë në Universitetin Aristotel të Selanikut identifikon propofolin si shkaktarin kryesor të vdekjes së këngëtarit.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, analizat toksikologjike tregojnë se propofoli, një anestetik intravenoz me veprim të shpejtë, ishte shkaktari kryesor i vdekjes së këngëtarit. Tetë substanca të tjera të identifikuara në trupin e tij dyshohet se kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, duke kontribuar në përfundimin tragjik.
Mostrat e marra nga trupi i Mazonakis u dërguan në laboratorin e Universitetit Aristotel në fillim të tetorit. Profesori Nikolaos Raikos dhe ekipi i tij kryen një sërë analizash për të identifikuar të gjitha substancat e pranishme dhe për të përcaktuar sasitë e tyre.
Një tjetër detaj shqetësues që përmendet në raport lidhet me momentet gjatë procedurës së plazmaferezës, kur këngëtarit iu administrua propofol si anestetik. Gjatë ndërhyrjes, ai pësoi një episod apneje, pra ndalim të frymëmarrjes. Sipas vlerësimeve të përfshira në raport, nëse në klinikë do të kishte pasur oksigjen në dispozicion, Mazonakis mund të ishte shpëtuar.
Dokumenti përfshin gjithashtu referenca nga literatura shkencore për raste të ngjashme, duke analizuar mënyrën se si propofoli dhe tetë substancat e tjera mund të kenë vepruar në organizmin e këngëtarit, veçmas dhe në kombinim me njëra-tjetrën.
Raporti pritet t’i dërgohet Shërbimit të Mjekësisë Ligjore në Athinë dhe, së bashku me gjetjet e këtij institucioni, do t’i përcillet prokurorit hetues që po merret me çështjen.
Kujtojmë se George Mazonakis ndërroi jetë më 9 shtator, në moshën 54-vjeçare, pasi pësoi arrest kardiak gjatë një procedure plazmafereze në një klinikë private në lagjen Kolonaki të Athinës. Vdekja e tij u konfirmua në spitalin Elpis, ku u transportua pasditen e asaj dite.
Pas ngjarjes, hetimet nxorën në pah një sërë dyshimesh për gabime dhe përpjekje të mundshme për të fshehur rrethanat e asaj që kishte ndodhur në klinikë. Sipas të dhënave të publikuara nga protothema.gr, aparatura e plazmaferezës ishte vënë në punë në orën 14:14, ndërsa rreth orës 15:15 alarmet e saj kishin sinjalizuar dy ose tri herë probleme me pacientin.
Pajisja dyshohet se ndaloi së funksionuari mes orës 15:23 dhe 15:27, në një moment kur këngëtari nuk kishte më shenja jetësore. Megjithatë, shërbimi i urgjencës EKAB u thirr vetëm rreth një orë më vonë.
Në lidhje me këtë çështje, drejtuesit e klinikës, Ioanna Gaka dhe bashkëshorti i saj, Ilias Theodoropoulos, ndodhen në paraburgim.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e vdekjes së artistit dhe përgjegjësitë e mundshme të personave të përfshirë.