Arta Bajrami ka bërë një deklaratë të papritur lidhur me Festivalin e Këngës në RTSH, duke treguar se një këngë me të cilën kishte synuar të konkurronte nuk ishte pranuar.
E ftuar në emisionin “Artistët Shqiptarë”, këngëtarja tregoi për herë të parë publikisht këtë episod, ndërsa e lidhi mospranimin e këngës me një hatërmbetje të vjetër që, sipas saj, ekziston me Elhaida Danin.
“Nuk më kanë pranuar këngën dhe askush nuk e di këtë gjë, sot po e tregoj te ti. E kam ditur që kur është Elhaida nuk ia pranon Arta Bajramit këngën, ka mbet një hatërmbetje prej atëherë, sepse këngën e kam pasur shumë të mirë”, u shpreh Bajrami.
Sipas këngëtares, historia mes tyre lidhet me vitin 2015, kur Elhaida Dani përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision. Arta tha se në atë periudhë kishte bërë një kritikë ndaj saj dhe beson se kjo mund të ketë ndikuar në raportin mes tyre.
Megjithatë, Bajrami nuk ka ndërmend të heqë dorë nga dëshira për të konkurruar në Festivalin e Këngës. Ajo zbuloi se planifikon të provojë përsëri vitin e ardhshëm me një këngë të sajën.
“Me një këngë timen vitin e ardhshëm e kam plan me shku. Nëse është Elhaida sërish, ndoshta këtu nuk e shikon”, shtoi ajo.
Deklarata e Arta Bajramit ka tërhequr vëmendjen, ndërsa pretendimi për një lidhje mes hatërmbetjes së tyre dhe mospranimit të këngës mbetet versioni i këngëtares. Deri tani, Elhaida Dani nuk ka dhënë një reagim publik ndaj deklaratave të saj.