Detaje të reja po dalin në dritë lidhur me sulmin e përgjakshëm me armë zjarri në qytetin polak të Krakovës, ku 9 persona humbën jetën dhe më shumë se një duzinë të tjerë mbetën të plagosur.
Teska hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim, numri viktimave mësohet se është rritur pasi dy gra dhe një burrë u gjetën të vdekur në shtëpinë e autorit të dyshuar të masakrës, në qytetin Ostroëiec Śëiętokrzyski, rreth 200 kilometra larg Krakovës. Raportohet se viktimat mund të jenë prindërit dhe motra e tij.
Tre trupat e gjetur në apartamentin e personit të armatosur në të shtënat e së shtunës janë identifikuar si babai 53-vjeçar, nëna 52-vjeçare dhe motra 21-vjeçare e të dyshuarit.
Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se ata mund të jenë pjesëtarë të familjes së autorit të dyshuar, duke bërë që numri i viktimave të rritet nga gjashtë që u raportu dje, në nëntë.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak para orës 15:00 të së shtunës, më 7 nëntor, në sheshin Rynek Głóëny, një prej hapësirave publike mesjetare më të mëdha në Evropë dhe një nga pikat më të frekuentuara turistike të Krakovës.
25-vjeçari mbërriti në shesh me automjet dhe nisi të qëllonte pa dallim ndaj njerëzve nga brenda makinës. Ndërkaq raportohet se plumbat goditën dhe një tramvaj që po kalonte në atë moment, duke thyer xhamat, por fatmirësisht asnjë prej pasagjerëve nuk mbeti i plagosur.
Dëmtime u raportuan edhe në dyqanet pranë sheshit, ku disa dritare u thyen, ndërsa copa xhami mbuluan rrugët dhe trotuaret.
Policia ndërhyri menjëherë dhe u përball me autorin e dyshuar në një shkëmbim zjarri. Gjatë operacionit për neutralizimin e sulmuesit u plagosën edhe dy efektivë policie. Njëri prej tyre u qëllua tre herë gjatë përpjekjes për të arrestuar 25-vjeçarin dhe ndodhet në gjendje jashtëzakonisht kritike, pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Në fjalën e mbajtur në sajë të ngjarjes së rëndë, kyeministri Donald Tusk zbuloi se efektivët e plagosur janë Jakub Kulik dhe Artur Moranski.
Nga të shtënat në sheshin kryesor humbën jetën gjashtë persona, katër gra dhe dy burra. Tre prej tyre janë shtetas polakë, ndërsa një tjetër është identifikuar si shtetas britanik. Identiteti i dy viktimave të tjera nuk ishte bërë ende publik në përditësimet e fundit zyrtare.
Ndërkohë, 16 persona u dërguan në spital, mes tyre pesë shtetas të huaj, dy efektivët e policisë dhe vetë autori i dyshuar. Sipas Ministrisë së Brendshme polake, të huajt e plagosur janë nga Austria, Britania e Madhe, Gjermania, Portugalia dhe Rusia.
Vëmendja e hetuesve në lidhje me sulmin e përgjakshëm, është përqendruar edhe te profili i autorit të dyshuar dhe bindjet e tij ideologjike. Bëhet fjalë për një shtetas polak 25-vjeçar, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik zyrtarisht.
Sipas policisë, ai ishte i veshur me rroba ushtarake dhe mbante një armë zjarri të stilit ushtarak, megjithëse nuk kishte shërbyer në forcat e armatosura. Në automjetin e tij u gjetën edhe armë dhe municione të tjera. Mediat polake raportojnë se i riu kishte leje për armëmbajtje dhe dyshohet se disa prej armëve mund t’i ketë marrë nga banesa e familjes.
Ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierëiński, deklaroi se hetimet paraprake kanë evidentuar shenja të ndikimit nga ideologjitë e ekstremit të djathtë dhe pikëpamjet ultranacionaliste.
Megjithatë, deri më tani nuk ka prova konkrete që e lidhin 25-vjeçarin me ndonjë organizatë të mirëfilltë ekstremiste. Policia dyshon se ai ka vepruar i vetëm dhe po vijon hetimet për të zbardhur motivet e sulmit.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Krakovës, Lukasz Gybala, nënshkroi një dekret për shpalljen e zisë në qytet deri të mërkurën, më 11 nëntor. Gjithashtu, në nivel kombëtar u shpallën dy ditë zie, më 8 dhe 9 nëntor.
Hetimet nga autoritetet polake vijojnë, ndërsa mes çështjeve kryesore që mbeten për t’u zbardhur janë rrethanat e vdekjes së tre personave në banesën e të dyshuarit, origjina e armëve të përdorura dhe motivet që e shtynë 25-vjeçarin të kryente sulmin.