Një deklaratë e drejtpërdrejtë e Jonida Maliqit ka tërhequr vëmendjen gjatë emisionit “Goca dhe Gra”, ku këngëtarja nuk ka ngurruar të përmendë emrin e një artisteje që, sipas saj, është e mbivlerësuar.
E ftuar në një lojë me panelistet, Maliqit iu kërkua të identifikonte një artist që mendon se merr më shumë vlerësim nga publiku sesa meriton. Përgjigjja e saj ishte e qartë: Rozana Radi.
Jonida theksoi se e vlerëson Rozanën për talentin dhe kontributin e saj në fusha të ndryshme të artit, veçanërisht si poete dhe aktore, por mendimi i saj ndryshon kur bëhet fjalë për aftësitë vokale.
“E di ku më shkon mendja? Te një vajzë që ka qenë pjesë këtu, e këtij paneli në një nga sezonet. Sigurisht që e vlerësoj për artisten që është, për poeten, për aktoren që është. Vokalisht nuk e vlerësoj dhe mendoj që ka pasur mbivlerësim dhe ajo është Rozana Radi. Me gjithë respektin për artisten që është, por për pjesën vokale si këngëtare”, tha Jonida Maliqi.
Deklarata e këngëtares pritet të ngjallë diskutime, pasi këtë herë ajo ndau hapur qëndrimin e saj për një emër të njohur të muzikës shqiptare.