Qeveria italiane e drejtuar nga Giorgia Meloni ka miratuar një dekret të ri për shkollat, i cili parashikon masa për integrimin e nxënësve të huaj, kufizimin e mbulimit të fytyrës dhe forcimin e mësimit të gjuhës italiane.
Një nga pikat që ka shkaktuar më shumë debat është ndalimi në shkolla i burqas dhe niqabit, pra veshjeve që mbulojnë plotësisht ose pjesërisht fytyrën. Masa nuk prek shaminë e kokës. Për shkeljen parashikohen gjoba nga 200 deri në 1 mijë euro dhe, kur bëhet fjalë për të mitur, përgjegjësia bie mbi prindërit.
Kryeministrja Giorgia Meloni e ka mbështetur masën, duke argumentuar se askush nuk duhet të detyrohet të mbulojë fytyrën dhe se integrimi duhet të zhvillohet duke respektuar parimet e lirisë individuale.
Paketa parashikon gjithashtu që në klasa të vendoset një kufi prej 30% për nxënësit që nuk zotërojnë mjaftueshëm gjuhën italiane. Sipas qeverisë, synimi është të shmanget krijimi i atyre që Meloni i ka cilësuar si “klasa-geto” dhe të favorizohet integrimi.
Një tjetër masë prek prindërit që nuk njohin gjuhën italiane. Në raste të caktuara, ata mund të detyrohen të ndjekin kurse falas të italishtes, ndërsa mosrespektimi i detyrimit mund të sjellë gjoba nga 200 deri në 1 mijë euro.
Dekreti ka shkaktuar përplasje politike. Sekretarja e Partisë Demokratike në opozitë, Elly Schlein, e ka cilësuar paketën një “gjueti shtrigash” ndaj fëmijëve të huaj. Sipas saj, qeveria duhet të përqendrohet te probleme të tjera të shkollave italiane, si gjendja e ndërtesave, kostoja e librave dhe pagat e mësuesve.
Masat duhet të kalojnë tashmë në procesin parlamentar për t’u shndërruar përfundimisht në ligj.