Valbona Selimllari ka bërë një rrëfim të drejtpërdrejtë gjatë intervistës së saj në emisionin “Live me Luizin”, ku ka folur për karakterin, jetën personale dhe një lajm që kishte qarkulluar së fundmi në media lidhur me të.
Gjatë bisedës me Luiz Ejllin, ish-Missi u pyet se si do ta përshkruante veten. Ajo pranoi se nuk e ka pasur kurrë të lehtë të flasë për veten, por theksoi se është një person i qetë, me një karakter të fortë.
Pjesa më pikante e intervistës erdhi kur Luizi i përmendi një lajm ku pretendohej se Valbona kishte qenë viktimë e dhunës. Ajo e mohoi kategorikisht këtë version dhe reagoi me një deklaratë që shkaktoi të qeshura në studio.
“O Luiz, sa djem i kam rrahur, kurrë nuk ka ndodhur në jetën time të më dhunojë dikush. Nuk e di pse e bëjnë. Dy nga ato 3 djemtë që i kam rrahur, kanë guxuar të më afrohen”, u shpreh ajo.
Në vijim të intervistës, Selimllari foli edhe për eksperiencën e saj në aktrim, duke treguar se ka pasur vetëm një rol në filmin “Don Zhuan”.
Ajo ndau gjithashtu mendimet për paqen, duke thënë se lutet që ajo të rikthehet sa më shpejt në botë. Si nënë e tre fëmijëve, Valbona tregoi se ata janë njëkohësisht burimi i qetësisë së saj, por edhe ata që ia trazojnë atë.
Sa i përket rrjeteve sociale, ish-Missi tregoi se është pak aktive dhe se ka zgjedhur të ndryshojë algoritmin për të mos u ekspozuar vazhdimisht ndaj lajmeve dhe informacioneve që e shqetësojnë.