Si do të jetë Valbona Selimllari kur të vijë momenti që djemtë e saj të krijojnë familjet e tyre? Këtë e ka zbuluar vetë gjatë intervistës në “Live me Luizin”, ku nuk kanë munguar as batutat për jetën sentimentale të fëmijëve.
Në bisedën me Luiz Ejllin, Valbona tregoi se në shtëpinë e saj ka vend edhe për vajzat që shoqërojnë djemtë, duke zbuluar se disa prej tyre i njeh tashmë. Ajo e sheh si diçka krejt normale miqësinë mes djemve dhe vajzave dhe thotë se fëmijët i ka rritur me idenë se dashuria duhet të jetë pjesë e jetës së tyre.
Por kur biseda kaloi te partneret e ardhshme dhe marrëdhënia me nuset, ish-Missi bëri të qartë se nuk ka ndërmend të imponojë pëlqimet e saj.
Ajo tregoi se u ka dhënë liri djemve të sjellin në shtëpi personat që duan, duke vendosur vetëm një kufi: të mos presin prej saj të krijojë patjetër simpati për dikë. Megjithatë, respekti ndaj zgjedhjes së tyre do të jetë i panegociueshëm.
E pyetur se çfarë do të bënte nëse nuk do ta pëlqente partneren e djalit, Valbona pranoi se mund t’i shprehte atij rezervat e saj, por vendimi përfundimtar do t’i takonte vetë atij.
Madje, ajo u shpreh se nuk do të kishte asnjë problem nëse nusja do të zgjidhte të mos merrte pjesë në darkat familjare apo të mos pranonte ndërhyrjen e saj në edukimin e fëmijëve. Për këtë të fundit, përgjigjja e saj ishte e menjëhershme: “Bravo të qoftë”.
Megjithatë, një gjë nuk do të pranonte kurrë: të shihte djalin e saj të palumtur. “Nëse i shkëlqejnë sytë, nuk ka shanse”, u shpreh Selimllari.
Në një tjetër moment, ajo dha edhe një përgjigje domethënëse për rastin kur nusja do të kishte probleme me djalin e saj, duke kujtuar se edhe ajo është vajza e dikujt dhe nuk duhet trajtuar me paragjykim.