Gazetari Elton Tozaj është rikthyer me një reagim në rrjetet sociale pas disa ditësh mungese komunikimi, çka kishte nxitur shqetësime dhe aludime të shumta rreth gjendjes së tij.
Tozaj, i cili ditët e fundit u përfshi në vëmendjen publike për shkak të denoncimeve të tij, ka falënderuar publikisht personat që janë kujdesur për të.
Në një postim në InstaStory, ai ka shkruar: “Shumë faleminderit të gjithë atyre që u interesuan sinqerisht për mua”.
Gjatë deklaratës së tij, gazetari bëri me dije se pajisjet e tij telefonike i janë nënshtruar një verifikimi pas kërcënimeve që pretendon se ka marrë. Lidhur me këtë situatë, ai u shpreh:
“Telefonat e mi iu nënshtruan një kontrolli për kërcënime e tash e në vijim çdo gjë do të jetë nën mbikëqyrje të rreptë për çdo situatë të ngjashme”.
Tozaj gjithashtu ka adresuar kritika ndaj raportimeve të ndryshme mediatike rreth ngjarjes, duke u shprehur: “Media që më bënë të vdekur i kam lënë Zotin dhe gjyqin! Ato që abuzuan në emër të familjes time Zotin dhe ligjin!”.
Zhvillimet e fundit vijnë pas një periudhe ku Ilir Vrenozi dhe Elton Ilirjani njoftuan pamundësinë për të kontaktuar me të, ndërsa më vonë nëna e gazetarit konfirmoi se kishte vendosur kontakt me të birin.
Kjo ngjarje pason edhe publikimin e disa fotografive ku Tozaj shfaqej me shenja dhune fizike, duke pretenduar se ishte sulmuar nga disa persona.
Kujtojmë se reagimi i nënës së Tozajt erdhi pasi mungesa e kontaktit me të alarmoi ndjekësit dhe personat e tij të afërt.