Është konfirmuar identiteti dhe mosha e vajzës së vogël që humbi jetën tragjikisht më 29 shtator në fshatin Treboviq të Pejës.
Viktima është Fatime (Ardian) Abazi, 5 vjeçe, ndërsa familja ka publikuar edhe njoftimin mortor për të miturën. Fillimisht në media ishte raportuar gabimisht se fëmija ishte 3 vjeç, por më pas informacioni u korrigjua.
Sipas të dhënave të raportuara për ngjarjen, dyshohet se 5-vjeçarja u zu nga porta e oborrit të një shtëpie, duke pësuar lëndime fatale. Ajo u dërgua në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë pa shenja jete.
Policia kishte bërë të ditur se rreth orës 09:30 ishte njoftuar për rastin dhe njësitë përkatëse kishin nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Për ngjarjen ishte njoftuar edhe Prokurori i Shtetit.
Në njoftimin mortor të publikuar nga familja bëhet e ditur se varrimi i Fatimes do të zhvillohet më 30 shtator 2026, në varrezat e fshatit Treboviq, te varrezat e reja në rrugën për Vitomericë. Funerali nis nga shtëpia e së ndjerës në orën 14:00.

Humbja tragjike e 5-vjeçares ka zhytur në zi familjen Abazi dhe ka tronditur komunitetin e zonës.