Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Pezë, ku një 16-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa shoku i tij 15-vjeçar ka mbetur i plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, dy të miturit po udhëtonin me një automjet, kur 16-vjeçari, i cili dyshohet se ishte në drejtimin e tij, ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka përfunduar në kanal.
Si pasojë e aksidentit, 16-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa 15-vjeçari që ndodhej me të është plagosur. Fatmirësisht, mësohet se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Një tjetër detaj i rëndë që ka dalë nga ngjarja është se 16-vjeçari dyshohet se ia kishte marrë automjetin fshehurazi të atit, përpara se të nisej së bashku me shokun e tij.
Autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të aksidentit dhe dinamikën që çoi në humbjen tragjike të jetës së të miturit.