Screenshot
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Treboviq të Pejës, ku një vajzë vetëm 5 vjeçe ka humbur jetën.
Sipas informacioneve të para, dyshohet se e mitura është zënë nga porta e oborrit të një shtëpie dhe ka pësuar lëndime fatale.
Policia në Pejë ka bërë të ditur se rreth orës 09:30 është njoftuar nga Emergjenca e Spitalit Rajonal se aty ishte sjellë një fëmijë pa shenja jete. Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje për të hetuar rrethanat e rastit, ndërsa është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit.
Fillimisht ishte raportuar se viktima ishte 3 vjeçe, por më pas “Peja Information” korrigjoi informacionin, duke bërë të ditur se vajza quhej Fatime Abazi dhe ishte 5 vjeçe.
Sipas njoftimit të publikuar, varrimi i së ndjerës do të bëhet nesër në orën 14:00, në varrezat e reja të fshatit, në rrugën për Vitomericë.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i vajzës u është dorëzuar familjarëve për ceremoninë mortore.
Ngjarja e rëndë ka zhytur në zi familjen Abazi dhe ka tronditur komunitetin e Treboviqit.