Gjashtë muaj pas ngjarjes së rëndë që i tronditi të gjithë pasi u mor vesh se një e re nga Lezha, Xhuana Nikolli, i dha fund jetës së saj pas konflikteve të vazhdueshme me ish-bashkëshortin, është vënë sot në pranga ish-burri i saj, Eraldo Fizi.
Burime për mediat bëjnë me dije se po vijon bashkëpunimi mes Komisariatit nr. 2 në Tiranë dhe Komisariati Lezhë, për të transferuar drejt kryeqytetit Fizin, i cili është autori i dyshuar kryesor i vetëvrasjes së Xhuana Nikollit, ngjarje e ndodhur në marsin e këtij viti.
Në këto momente që raportojmë, Fizi aktualisht ndodhet në Lezhë dhe pritet të transferohet në Tiranë.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ka ndodhur më 10 mars, kur Xhuana Nikolli i dha fund jetës së saj në lule të rinisë duke konsumuar fostoksinë. Ngjarja e rëndë tronditi jo vetëm Lezhën, ku Xhuana u rrit dhe u dashurua me shkaktarin e vdekjes së saj, Eraldo Fizin, por mbarë Shqipërinë, e më së shumti Tiranën ku e reja kreu aktin e rëndë në apartamentin me qira ku ajo jetonte me shoqet e saj.
Hetimet e bëra rreth kësaj tragjedia nxorrën në pah dhunën fizike e kërcënimet që Eraldo Fizi ushtronte ndaj Xhuanës, pasi kjo e fundit refuzonte të bashkohej me të. Në qershorin e 2025 Xhuana kurorëzoi dashurinë e saj me Eraldon dhe veshi fustanin e nusërisë që i solli asaj vdekjen.
Vetëm pak muaj pas martesës, konfliktet mes çiftit të ri zëvendësuan dashurinë e të rinjve, që dashuruan njëri-tjetrin që në bankat e gjimnazit. Për pasojë të konflikteve të vazhdueshme, Xhuana dhe Eraldo u dakordësuan të ndaheshin e secili të vijonte jetën e tij.
Mirëpo ky i fundit nuk hoqi dorë kurrë nga Xhuana, edhe pas ndarjes ai e ndiqte 25-vjeçaren dhe me këmbëngulje kërkonte të ribashkohej, e cila u bë dhe shkaku i vdekjes së të resë.
Një ditë pas ngjarjes së rëndë, Eraldo Fizi u shpall në kërkim nga policia, e cila në mesin e marsit të 2026 ushtroi dhe kontrolle në banesën e tij në Lezhë, por nuk e ka gjetur. Fizi akuzohet për veprat penale “dhunë në familje” dhe “shkaktim i vetëvrasjes”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2: -shpallën në kërkim, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, shtetasin E. F., 25 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij, veprim i cili dyshohet se është bërë shkak që shtetasja të konsumojë Fotoksinë. Si pasojë, ajo ka humbur jetën në spital. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e 25-vjeçarit, si dhe për sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave të rastit”,thuhet në njoftimin e policisë të asokohe.
Ndërsa sot, pas më shumë se gjashtë muajsh nga ngjarja që tronditi mbarë opinionin publik dhe la një plagë të hapur për familjen Nikolli e cila prej muajsh ka ngritur zërin duke kërkuar arrestimin dhe dënimin e Eraldo Fizit, ky i fundit është vënë në pranga.