Robert Berisha ka komentuar rikthimet në muzikë të disa prej emrave të njohur të skenës shqiptare, duke veçuar Genta Ismajlin dhe Adelina Ismajlin.
Gjatë një interviste në emisionin “Lens” në ATV, këngëtari u pyet për periudhën e artë të muzikës shqiptare dhe artistet me të cilat ka ndarë skenën ndër vite.
Duke folur për Genta Ismajlin dhe pauzën e saj të gjatë nga muzika, Berisha u shpreh se ajo mund të rikthehej fuqishëm, por sipas tij, pas një shkëputjeje të gjatë është e vështirë që një rikthim të ketë të njëjtin efekt si më parë.
“Më mirë është me nejt me ato hitet që kanë qenë”, tha Berisha, duke iu referuar këngëve të Gentës që vazhdojnë të dëgjohen edhe sot.
Ai përmendi gjithashtu Adelina Ismajlin, duke theksuar repertorin që të dyja këngëtaret kanë krijuar gjatë karrierës së tyre. Sipas Robertit, pauzat e gjata mund ta vështirësojnë pozicionimin e një artisti në një treg muzikor që ndryshon vazhdimisht.
“Masi ke bërë pauza, këta që s’bëjnë pauzë, këta ndonjëherë që qesin këngë, të mbajnë”, u shpreh ai.
Berisha foli edhe për një tjetër tendencë të muzikës shqiptare: këngët e menduara posaçërisht për dasma dhe evente private. Sipas tij, disa artistë po i përshtatin projektet muzikore pikërisht me këtë treg, duke publikuar këngë për nusëri dhe dasma që më pas mund të përdoren në këto organizime.
Deklaratat e tij sjellin sërish në vëmendje dy prej emrave që kanë shënuar muzikën shqiptare, Genta dhe Adelina Ismajlin, si dhe diskutimin se sa i lehtë është rikthimi në skenë pas disa vitesh mungesë.