Një person i kërkuar prej vitesh nga autoritetet turke është arrestuar në Stamboll, pas një historie të pazakontë që ka tërhequr vëmendjen e mediave. Tuğrul Başar, i dënuar për tri raste grabitjeje të kryera në vitin 2010 duke u paraqitur si zyrtar publik, ishte në arrati që prej vitit 2018 për t’iu shmangur një dënimi me tre vite burg.
Başar u lokalizua në zonën Kadıköy të Stambollit gjatë një operacioni të policisë për kapjen e personave me dënime të pazbatuara.
Sipas raportimeve, gjatë viteve në arrati ai kishte ndryshuar ndjeshëm pamjen dhe jetonte si grua, ndërsa dyshohet se përdorte edhe dokumentin e identitetit të motrës së tij. Ndryshimi i pamjes kishte qenë aq i madh sa identifikimi i tij ishte bërë i vështirë.
Autoritetet dyshohet se arritën në gjurmët e tij duke monitoruar familjarët dhe personat e afërt. Vëmendjen e policisë e tërhoqi fakti se në banesën e motrës së Başarit dy persona duket se përdornin të njëjtin identitet kur dilnin jashtë.
Pas hetimeve dhe ndjekjes së personit që paraqitej me identitetin e motrës, policia ndërhyri në banesë. Në momentin e arrestimit, Başar raportohet se kishte me vete letërnjoftimin e së motrës. Identiteti i tij u konfirmua përfundimisht përmes gjurmëve të gishtërinjve.
Mediat turke kanë dhënë versione të ndryshme lidhur me ndryshimin e pamjes së tij. Disa raportojnë se ai paraqitej si grua për të shmangur identifikimin, ndërsa të tjera pretendojnë se kishte kryer tranzicion gjinor. Kjo e fundit nuk rezulton e konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Sipas raportimeve, Başar pritet ta vuajë dënimin në një burg për burra, pasi të dhënat për emrin dhe gjininë e tij nuk ishin ndryshuar zyrtarisht në regjistrin civil turk.