Screenshot
Aurela Gaçe ka reaguar publikisht pasi emri i saj është përfshirë në aludimet që po qarkullojnë në rrjet në lidhje me skandalin ku është përmendur kompozitori Adi Hila.
Përmes një postimi në Instagram, këngëtarja ka mohuar kategorikisht çdo pretendim që e lidh atë me video apo materiale të natyrës që po aludohet, duke theksuar se bashkëpunimet e saj me autorë të industrisë muzikore kanë qenë vetëm profesionale.
“Ditët e fundit po shoh emrin tim të përfshihet në lajme e aludime të pabazuara. Përballë shpifjeve që cenojnë dinjitetin tim, nuk mund të hesht”, shkruan Aurela.
Artistja thekson se fakti që ka pasur bashkëpunime muzikore nuk i jep askujt të drejtën të ndërtojë histori rreth jetës së saj private.
“Dua të jem e qartë: Nuk jam pjesë e asnjë videoje të natyrës që po aludohet. Çdo pretendim që më lidh me të tilla përmbajtje është i pavërtetë”, deklaron ajo.
Gaçe shprehet se është bijë, nënë dhe bashkëshorte dhe se nuk do të lejojë që emri apo dinjiteti i saj të përdoret për përbaltje apo argëtim publik.
“Dinjitetin tim e kam shumë të shtrenjtë dhe nuk lejoj askënd ta përdhosë. Edhe një herë! NUK LEJOJ ASNJË TË MË PËRBALTË”, shkruan këngëtarja.
Në fund, Aurela paralajmëron edhe hapa ligjorë ndaj kujtdo që, sipas saj, përdor emrin e saj në histori të sajuara apo publikon pretendime që cenojnë figurën e saj.
“Për çdo shpifje që cenon emrin dhe dinjitetin tim, do të ndërmarr hapat e nevojshëm ligjorë. Liria e fjalës nuk është liri për të shpifur”, përfundon ajo.
Reagimi vjen pasi emri i këngëtares është përmendur në rrjet në kuadër të aludimeve që kanë qarkulluar rreth çështjes së Adi Hilës. Aurela Gaçe, nga ana e saj, i hedh poshtë prerazi pretendimet që e lidhin personalisht me materialet e aluduara dhe kërkon që emri i saj të mos përfshihet në këtë histori.
