TIRANË- Kompozitori Adrian Hila është paraqitur në Policinë e Tiranës ku po merret në pyetje nga një grup i posaçëm hetimor i Krimeve Kibernetike pas publikimit dhe shpërndarjes së disa videove me përmbajtje intime në rrjetet sociale.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur burimin e materialeve dhe për të identifikuar personat që i kanë publikuar apo shpërndarë ato. Çështja i është referuar edhe Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Për rastin ka folur profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço i cili në emisionin Top Story, ku tha se nga hetimet dhe materialet e sekuestruara janë ngritur dyshime mbi përdorimin e kamerave të fshehta.
“Hila nuk është viktimë. Ai njeri do të gjykohet dhe dënohet për këtë. I ka futur ata njerëz në një shtëpi që ka pasur kamera, i ka gënjyer, i ka dërguar në një ambient me kamera. Është laptopi që është përdorur”, tha Karamuço.
Sipas tij, policia po heton edhe mënyrën se si materialet janë nxjerrë dhe janë shpërndarë për përfitime financiare përmes klikimeve.
“Policia është për të parë se kush është shitësi, kush i ka çuar për t’i shitur. Janë formate që duan të përfitojnë me klikime”, tha ai.
Karamuço foli edhe për kontrollet e kryera në një vilë trekatëshe ku në katin e tretë ishte gjetur një papafingo që shërbente si studio. Sipas tij, aty dyshohej se kishte kamera të fshehta.
“Këto kamera nuk janë të ekspozuara, ishin kamera të fshehta. Kamera ishte e lidhur me një laptop”, tha Karamuço.
Ndërkohë, gjatë diskutimit në studio Filip Çakuli ngriti çështjen e përgjegjësisë penale për regjistrimin dhe publikimin e materialeve intime.
Karamuço tha se të dyja veprimet përbëjnë vepër penale kur kryhen pa dijeninë dhe pëlqimin e personave të filmuar.
“Po nuk ia the tjetrit që merr në shtëpi që po filmohesh, je për burg. Është ndërhyrje në veprën penale, në filmimin pa dhënë autori pëlqim”, tha ai.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar mënyrën e regjistrimit të videove, burimin e materialeve dhe personat që kanë pasur rol në shitjen apo shpërndarjen e tyre.