Bota e boksit është në zi pas vdekjes së boksierit meksikan Arturo “Lobito” Torres, i cili ndërroi jetë më 25 shtator, vetëm gjashtë ditë pas ndeshjes së tij të fundit.
Ndryshe nga raportimet e para që e jepnin 25 vjeç, mediat meksikane raportojnë se Torres ishte 26 vjeç. Më 19 shtator ai u përball me Gilberto “Torito” Garcia në Parque Vicente Guerrero, në Mexicali të Meksikës. Ndeshja, e planifikuar për tetë raunde, u ndërpre në raundin e shtatë, pasi këndi i Torres hodhi peshqirin dhe arbitri i dha fund duelit.
Pak pas përfundimit të ndeshjes, Torres u rrëzua në ring dhe mori menjëherë ndihmën e stafit mjekësor. Ai u transportua me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Mexicalit, ku mjekët konstatuan një dëmtim të rëndë në tru.
Boksieri iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një mpiksjeje gjaku në tru dhe më pas u mbajt në koma të induktuar. Fillimisht familjarët kishin njoftuar se operacioni kishte përfunduar me sukses, por gjendja e tij mbeti kritike.
Gjashtë ditë pas ndeshjes, më 25 shtator, u konfirmua lajmi i trishtë se Arturo “Lobito” Torres kishte ndërruar jetë. Ai e kishte nisur karrierën profesioniste në vitin 2018 dhe e mbylli atë me 24 ndeshje: 15 fitore, 6 humbje dhe 3 barazime.