Një video e publikuar në TikTok i ka kushtuar shtrenjtë një drejtuesi automjeti në Berat. Në pamjet e publikuara në rrjetin social, makina shfaqej duke lëvizur mbi trotuar në një rrugë të qytetit, duke rrezikuar sigurinë e këmbësorëve.
Pas publikimit të videos, shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Berat nisën verifikimet dhe arritën të identifikonin drejtuesin e automjetit, shtetasin me inicialet I. L.. Ai u shoqërua në komisariat për veprimet e mëtejshme procedurale.
Në përfundim të kontrolleve, drejtuesi u ndëshkua me një masë administrative prej 60 mijë lekësh. Gjithashtu, Policia i tërhoqi lejen e qarkullimit të automjetit, pasi nga verifikimi i dokumentacionit rezultoi se mjeti ishte pa kontroll teknik dhe pa siguracion.
Policia e Beratit ka falënderuar qytetarët për denoncimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit dhe u ka bërë thirrje të raportojnë raste të tilla në numrin 112.