Humbja tragjike e Leart Çim Zallës, 19-vjeçarit që humbi jetën në aksident, ka tronditur jo vetëm familjen dhe të afërmit e tij, por edhe miqtë dhe Akademinë e Forcave të Armatosura, ku i riu sapo kishte nisur rrugën drejt ëndrrës së tij.
Pas ngjarjes së rëndë, Akademia e Forcave të Armatosura ka reaguar publikisht, duke bërë të ditur se Learti ishte student i vitit të parë në programin “Shkenca e Komunikimit në Fushën e Mbrojtjes”.
“Me hidhërim të thellë mësuam lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Leart Çim Zallës, 19 vjeç”, thuhet në reagimin e Akademisë.
Në mesazhin e ngushëllimit, Akademia shpreh solidaritetin me familjen, të afërmit dhe miqtë e 19-vjeçarit, duke theksuar se kujtimi i tij do të mbetet mes tyre.

Por edhe më prekës është dedikimi i një prej personave që e kishte njohur nga afër dhe ishte stërvitur bashkë me të për të realizuar ëndrrën e pranimit në Akademinë Ushtarake.
“Të njoha si një djalë të ri, plot energji, kërkues, të vendosur dhe me një ëndërr të madhe në zemër. U stërvitëm bashkë për të fituar Akademinë Ushtarake dhe e pashë nga afër sa shumë e doje atë rrugë. Doje të bëheshe oficer, të vishje uniformën me krenari dhe t’i shërbeje vendit tënd”, shkruan ai.
Learti ia kishte dalë të fitonte shkollën dhe të hidhte hapin e parë drejt ëndrrës, por gjithçka u ndërpre tragjikisht.
“E fitove shkollën. E bëre hapin e parë drejt ëndrrës… por sot, dhimbja është e madhe sepse ajo ëndërr mbeti në mes”, vijon dedikimi.
Në mesazhin prekës thuhet gjithashtu se 19-vjeçari la pas babanë dhe motrën, familjarët, shokët dhe miqtë që tashmë përballen me humbjen e tij.
“Leart, uniformën e oficerit nuk pate mundësi ta veshësh, por krenarinë për rrugën që nise do ta mbajmë gjithmonë me ne”, përfundon dedikimi.
Një ëndërr e nisur me shumë dëshirë dhe përkushtim u ndërpre shumë herët, ndërsa reagimet pas tragjedisë tregojnë gjurmën që 19-vjeçari kishte lënë tek njerëzit që e njihnin.
