Një ngjarje e rëndë është denoncuar në qytetin e Korçës, ku një 17-vjeçare ka kallëzuar një mësues të shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qirjazi”, duke pretenduar se është ngacmuar seksualisht prej tij. Sipas informacioneve paraprake, ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth një muaj më parë, kur 17-vjeçarja ishte pjesë e stërvitjeve të volejbollit në palestrën e shkollës, ku mësuesi ushtron edhe detyrën e tij.
Në dëshminë e dhënë në komisariat, në prani të babait dhe psikologes, 17-vjeçarja ka pretenduar se mësuesi E.C. ka kryer veprime me natyrë seksuale ndaj saj, duke e prekur në pjesë intime gjatë orës së stërvitjes. Ndërkohë, policia ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë në ambientet e palestrës, ndërsa pritet të kryhet këqyrja e sistemit DVR për të verifikuar rrethanat e ngjarjes.
Mësuesi është shoqëruar në komisariat, ku ka dhënë versionin e tij, duke mohuar pretendimet e ngritura ndaj tij. Në përfundim të veprimeve paraprake hetimore, ai është proceduar në gjendje të lirë. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.