Pamje të forta emocionale janë regjistruar këtë të mërkurë pas shpalljes së vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë.
Në videot e publikuara pas aktgjykimit shihen qytetarë të përlotur, gra që reagojnë me zemërim dhe fëmijë që qajnë, ndërsa mes protestuesve shfaqen flamuj kombëtarë dhe simbole të UÇK-së.
Një prej pamjeve tregon një fëmijë të veshur me uniformë me emblemën e UÇK-së, i cili shpërthen në lot mes turmës. Në një tjetër video, gra të përlotura kundërshtojnë vendimin dhe shprehin publikisht indinjatën e tyre.
Situata u tensionua edhe jashtë Dhomave të Specializuara në Hagë. Reuters raporton se pati përplasje të shkurtra mes disa protestuesve dhe policisë, pasi një pjesë e turmës tentoi të lëvizte drejt tribunalit.
Pamjet e shpërndara tregojnë gjithashtu persona që ngjiten mbi një automjet të policisë, ndërsa të tjerë mblidhen rreth tij. Raportimet lokale konfirmojnë tensionet dhe ngjitjen e protestuesve mbi automjetet e policisë.
Tensionet kishin nisur që përpara shpalljes së vendimit, kur policia u kishte kërkuar protestuesve të largoheshin nga hyrja e gjykatës dhe të zhvendoseshin në zonën e përcaktuar për protestën. Në atë moment, Hysni Gucati u bëri thirrje të pranishmëve të ruanin qetësinë dhe të shmangnin përplasjet me policinë holandeze.
Aktgjykimi i sotëm është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtën e apelimit. Vendimi shkaktoi protesta si në Hagë, ashtu edhe në Prishtinë.