Dhomat e Specializuara të Hagës kanë shqiptuar dënimin me 25 vite burg për presidentin e Kosovës dhe një ndër drejtuesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare që i solli lirinë Kosovës, pavarësisht se akuzat kryesore nuk u provuan.
Gjyqtari Smith, përmendi shumë faktorë lehtësues për Hashim Thaçin, që nga ndërprerja e detyrës si President i Kosovës, dorëzimi vullnetar, bashkëpunimi me drejtësinë dhe rrëzimi i akuzave kryesore, por dënimi që shqiptoi nuk reflektonte asnjë prej tyre.
“Në emër të popullit të Kosovës, pasi janë shqyrtuar provat, argumentet dhe faktet, trupi gjykues ju shpall juve Hashim Thaçi, fajtor për arrestim të paligjshëm kundër së paku 385 personave, trajtim mizor kryer së paku kundër 49 personave, torturë si krim lufte, kryer së paku 303 personave, dhe vrasje të paligjshme si krim lufte, kryer së paku ndaj 96 personave.
Trupi gjykues ju shpall të pafajshëm për një sërë incidentesh apo krimesh, që nuk janë provuar.
Trupi gjykues ju shpall të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, torturës, sipas pikave të aktgjykimit.
Zoti Thaçi, duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se 1 krim, trupi gjykues ka shpallur dënime më vete për secilin. Trupi gjykues ka vendosur dënim me 15 vjet burgim për arrestim të paligjshëm, 4 vjet për trajtim mizor dhe dënim me 20 vite për torturë, dhe dënim për 23 vite për vrasje të paligjshme.
Trupi gjykues ju dënon me dënim të unifikuar me 25 vite. Në këtë, llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, u shpreh ndër të tjera gjyqtari.