Screenshot
Selin Bollati ka folur për ndryshimet që ka përjetuar pas daljes nga Big Brother, duke iu përgjigjur pyetjeve të ndjekësve në Instagram. Nga vëmendja dhe dashuria e publikut te ëndrrat ende të parealizuara, ajo ka ndarë disa mendime për periudhën që po jeton.
E pyetur nëse e priste famën dhe suksesin pas përfundimit të eksperiencës, Selin është përgjigjur se brenda shtëpisë nuk arrinte ta kuptonte plotësisht atë që po ndodhte jashtë.
“Nuk e prisja! Aty brenda s’arrin ta kuptosh tamam çfarë po ndodh. Por kjo shprehje e përshkruan tamam atë që po jetoj tani”, ka shkruar ajo, duke iu referuar një mesazhi për fuqinë e lutjeve dhe mënyrën se si situatat ndryshojnë me kohën.
Selin shprehet mirënjohëse për këtë fazë të jetës, ndonëse pranon se edhe ajo përballet me ditë të mira e të vështira.
“Lutjet e mia janë dëgjuar. Si çdo njeri tjetër, edhe po jetoj të mirat dhe të këqijat që sjell jeta, dhe po e shijoj këtë periudhë sa më shumë që mundem”, është shprehur ajo.
Ndryshimin pas reality show-t e përshkruan me entuziazëm, duke e lidhur atë edhe me përpjekjet e saj përpara pjesëmarrjes në program.
“Jeta pas Big-ut është një çmenduri! Jeta më ka ndryshuar për shumë mirë dhe sot po korr frytet e asaj që kam mbjellë gjatë atyre 120 ditëve dhe gjatë gjithë viteve që kam ndërtuar jetën time si adulte”, shkruan Selin.

Në një tjetër story, një ndjekës e ka pyetur për ëndrrën që ende mban në sirtar. Ajo nuk ka zbuluar një dëshirë konkrete, por e ka përshkruar veten si një ëndërrimtare me kohë të plotë, që ndërton vazhdimisht plane për të ardhmen.
“Kam shumë ëndrra, ç’është e vërteta, dhe për secilën bëj në mendje një plan të tërë se si mund ta realizoj. Pastaj, sapo e ndiej që po i bëj shumë presion vetes, ndaloj!”, ka treguar ajo.

Megjithatë, kjo pauzë duket se zgjat pak. “Deri të nesërmen, se pastaj filloj nga e para”, ka shtuar Selin me humor.