Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas aktgjykimit të shpallur këtë të mërkurë, 16 shtator, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Rama ka zgjedhur një reagim të shkurtër, duke publikuar në rrjetet sociale një imazh ku shihet harta e Europës e rrethuar me tela me gjemba dhe, me shkronja të mëdha të kuqe, vetëm një fjalë:
“MARRE”

Postimi erdhi menjëherë pas shpalljes së dënimeve ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Rama ka mbajtur edhe më herët një qëndrim kritik ndaj procesit në Hagë dhe, vetëm pak ditë përpara aktgjykimit, kishte shprehur publikisht mbështetje për ish-krerët e UÇK-së.
Çfarë ndodhi sot në Hagë?
Dhomat e Specializuara shpallën aktgjykimin e shkallës së parë në procesin ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Hashim Thaçi u dënua me 25 vite burg, Jakup Krasniqi me 25 vite, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite, ose 81 vite burg në total. Ata u shpallën fajtorë për katër akuza për krime lufte, që përfshijnë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Ndërkohë, gjykata nuk i shpalli fajtorë për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit.
Procesi gjyqësor kishte nisur më 3 prill 2023, ndërsa katër të akuzuarit ndodhen në Hagë që prej nëntorit 2020 dhe gjatë procesit janë deklaruar të pafajshëm. Aktgjykimi i sotëm është i shkallës së parë.