Trupi i pajetë i 34-vjeçarit Eglant Koçi, i vrarë nga shoku i tij Armand Shakaj dhe i gjetur pas më shumë se dy javësh kërkimesh në zonën e Ibës, do të përcillet sot për në banesën e fundit.
Ceremonia e varrimit do të mbahet në mesditën e sotme në varrezat e Shëngjergjit, ndërsa familjarët do të presin ngushëllime gjatë ditës së enjte, të premte dhe të shtunë.
Instituti i Mjekësisë Ligjore ka konfirmuar përmes analizave të ADN-së se trupi i gjetur në fshatin Cërruje, në kufirin mes Tiranës dhe Elbasanit, i përket 34-vjeçarit. Identifikimi u bë pas krahasimit të mostrës së marrë nga nëna e tij, duke mbyllur kështu procesin e verifikimit shkencor.
Eglant Koçi ishte parë për herë të fundit më 4 qershor në zonën e sheshit “Wilson” në Tiranë, teksa lëvizte me motomjet. Ai është filmuar edhe në një servis automjetesh pak orë para se të humbiste çdo kontakt me familjen. Një ditë më pas, familjarët denoncuan në polici zhdukjen e tij.
Hetimet çuan në gjetjen e motomjetit pranë zonës së “5 Majit”, si dhe në identifikimin e vendit ku dyshohet se është mbajtur pas rrëmbimit.
Sipas hetuesve, nga ambienti ku u mbajt i riu ka dalë vetëm i dyshuari Armand Shakaj, i njohur si “Mand Dhelpra”. Ai dyshohet se ka kryer vrasjen dhe më pas trupin e ka fshehur në një çantë të zezë, të cilën e ka hedhur në një zonë të thepisur në Cërruje.
Policia vijon kërkimet për 41-vjeçarin Shakaj, i cili dyshohet si autor i rrëmbimit dhe vrasjes së mikut të tij, ndërsa po hetohet edhe për mundësinë e bashkëpunëtorëve të tjerë.
Edhe pas më shumë se dy javësh nga ngjarja e rëndë, autori mbetet në arrati, ndërsa familja Koçi i jep sot lamtumirën e fundit të birit.
