Përplasja mes aktorit të njohur Gazmend Paja dhe personazhit të showbizit Elton Tozaj ka marrë një tjetër kthesë, pasi aktori i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim penal ndaj këtij të fundit.
Sipas raportimit të Lajmishqiptar.al, Paja e akuzon Tozajn për përndjekje, shpifje dhe fyerje, duke pretenduar se ai ka publikuar në rrjetet sociale video ku përmendet emri i tij, shoqëruar me akuza të pavërteta dhe shprehje denigruese që, sipas aktorit, cenojnë dinjitetin dhe figurën e tij publike e profesionale.
Në kallëzimin e raportuar thuhet se Tozaj, përmes platformave TikTok dhe YouTube, i ka atribuuar aktorit fakte dhe sjellje të pavërteta, duke përdorur gjithashtu gjuhë nënçmuese.
Por Elton Tozaj nuk ka qëndruar në heshtje. Menjëherë pas publikimit të lajmit, ai ka reaguar ashpër në rrjetet sociale, duke ironizuar pretendimet e aktorit dhe duke e sfiduar publikisht që të vërtetojë se ku qëndron shpifja.
“Pas Monikës, Elit, Egzonës, Blerinës, Gentit u shtua dhe Gazi që përmendjen e emrit dhe investitorit strategjik, faktit që është ndarë nga nusja apo konsumon substanca narkotike na e quan përndjekje! Të kesh dy bythë! Një ta mbash e një ta çash! Ik o Gazi se si Zeqineja je dhe ti!”, shkruan Tozaj në reagimin e tij.
Në këtë postim, Tozaj përmend edhe pretendime lidhur me jetën private të aktorit, të cilat mbeten të paverifikuara dhe nuk duhen konsideruar si fakte.
Por ai nuk është ndalur me kaq. Në përshkrimin që shoqëron postimin, Tozaj i drejton një sfidë të hapur Gaz Pajës, duke deklaruar se është i gatshëm të përballet me drejtësinë nëse vërtetohet se ka shpifur.
“Të ftoj publikisht të vërtetosh të kundërtën apo një shpifje të vetme që kam bërë për ty! Nëse ka qoftë edhe një, përgjigjem vullnetarisht përpara ligjit!”, shkruan ai.
Ky reagim e ka ashpërsuar edhe më tej përplasjen publike mes dy personazheve, duke e zhvendosur debatin nga rrjetet sociale në një çështje që tashmë, sipas raportimeve, i është referuar organit të akuzës.
Mbetet për t’u parë nëse Prokuroria e Tiranës do të nisë procedim penal dhe si do të vijojë përballja mes aktorit dhe Elton Tozajt. Deri më tani, pretendimet e palëve nuk përbëjnë konstatime të vërtetuara nga drejtësia.