Yasin Cengiz, i njohur në të gjithë botën për kërcimin karakteristik të barkut nën ritmet e këngës virale “Dom Dom Yes Yes”, po përballet me një situatë të vështirë, pasi raportohet se ka humbur aftësinë për të lëvizur normalisht për shkak të peshës së tepërt.
Sipas raportimeve në mediat turke, fenomeni i rrjeteve sociale është detyruar të shkojë në spital me karrocë me rrota, pasi ka pasur vështirësi edhe në ecje. Pamjet e tij nga momenti i mbërritjes në spital janë shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke e kthyer sërish në një nga temat më të komentuara.


Yasin Cengiz u bë një fenomen ndërkombëtar falë videove ku kërcente duke lëvizur barkun në ritmin e këngës “Dom Dom Yes Yes”. Stili i tij i veçantë i siguroi miliona shikime dhe rreth 3.5 milionë ndjekës, duke e kthyer popullaritetin në një burim të ardhurash.
Ndërkohë, lajmi për vështirësitë e tij fizike ka shkaktuar reagime të shumta në internet. Krahas komenteve ironike, ka pasur edhe shqetësim për gjendjen e tij shëndetësore.
Deri më tani, nuk janë bërë publike detaje të konfirmuara mjekësore për gjendjen e tij apo një diagnozë konkrete. Megjithatë, raportimet kanë rikthyer vëmendjen te shëndeti i personazhit që dikur argëtonte miliona njerëz me videot e tij virale.