Një grabitje është regjistruar sot, rreth orës 10:45, në një bankë të nivelit të dytë në Kompleksin Kika, në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.
Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar ka hyrë në bankë me fytyrën të mbuluar me shall. Fillimisht, ai dyshohet se i ka drejtuar armën rojes për ta penguar të ndërhynte dhe më pas ka kërcënuar arkëtaren, duke i marrë paratë që ndodheshin aty.
Pas grabitjes, dyshohet se është larguar me monopatinë në drejtim të stadiumit “Dinamo”. Këto detaje paraprake nuk janë konfirmuar në njoftimin e policisë.
Policia bën me dije se personi i maskuar dyshohet se ka marrë një shumë parash nën kërcënimin e një sendi në dukje armë. Shuma e grabitur nuk është bërë ende publike, ndërsa nuk ka informacion për persona të lënduar.
Pas njoftimit, shërbimet policore kanë ngritur pika kontrolli dhe janë orientuar për identifikimin dhe kapjen e autorit. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të rastit.