Rreth 60 kursantë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se kanë pësuar helmim ushqimor, në një ngjarje që ngre sërish pikëpyetje mbi sigurinë e ushqimit të servirur në institucion.
Sipas informacioneve paraprake, kursantët kanë konsumuar rreth orës 09:00 një vakt që përfshinte fasule, salçiçe dhe kos. Vetëm pak kohë më vonë, shumë prej tyre kanë shfaqur simptoma si të vjella, dhimbje koke, temperaturë dhe gjendje të përgjithshme dobësie. Një pjesë e konsiderueshme e tyre është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore.
Ngjarja konsiderohet veçanërisht shqetësuese dhe skandaloze pasi është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që raportohet një rast i tillë në Akademinë e Sigurisë. Burime nga brenda institucionit bëjnë me dije se mensa, e cila ishte mbyllur përkohësisht pas incidentit të mëparshëm, ka rifilluar funksionimin dhe furnizimi me ushqim po kryhet sërish nga kompania SORI-AL e kreut të Dhomës së Tregtisë Nikolin Jakës, që ishte pezulluar pas rastit të parë.
Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për të sqaruar shkaqet e incidentit apo masat që do të merren për të garantuar sigurinë ushqimore të kursantëve.