Screenshot
Aksesueshmëria në transport vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara. Kjo është një nga çështjet kryesore të trajtuara në raportin e publikuar në muajin maj nga Fondacioni “Së Bashku”, me titull “Transporti për të Gjithë: Udhëzues mbi Transportin e Aksesueshëm për Personat me Aftësi të Kufizuara”, ku evidentohet se pengesat në transport ndikojnë drejtpërdrejt në mundësinë e kësaj kategorie për të ushtruar të drejtat e tyre dhe për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në jetën shoqërore.
Sipas raportit, transporti i aksesueshëm nuk ka të bëjë vetëm me lëvizjen nga një vend në tjetrin, por me mundësinë për të ndjekur arsimin, për të qenë pjesë e tregut të punës, për të përfituar shërbime shëndetësore dhe publike, si dhe për të jetuar në mënyrë të pavarur. Për këtë arsye, mungesa e aksesueshmërisë krijon pasoja që shkojnë përtej vetë udhëtimit.
Raporti thekson se problemet hasen në të gjitha format e transportit dhe shpesh fillojnë që para përdorimit të mjetit të transportit. Barrierat mund të gjenden në stacione, terminale, hapësira pritjeje, pika informacioni dhe në infrastrukturën që lidh qytetarët me shërbimin e transportit.
Për personat me kufizime në lëvizje, mungesa e kushteve të përshtatshme mund të kufizojë përdorimin e pavarur të autobusëve. Ndërkohë, personat me dëmtime në shikim hasin vështirësi për shkak të mungesës së informacionit dhe orientimit të aksesueshëm, ndërsa personat me dëmtime në dëgjim mund të mos kenë akses në njoftimet dhe informacionet e nevojshme gjatë udhëtimit. Raporti thekson se transporti ndërqytetas është plotësisht i paaksesueshëm për këta persona. Mungojnë rampat në shumicën e autobusëve. Edhe stacionet, shumica prej tyre, nuk plotësojnë kushtet pritëse. Në Shqipëri as transporti me taksi nuk është i mundur për këta persona, pasi në vendin tonë mungojnë taksitë e posaçme.
Probleme të ngjashme evidentohen edhe në transportin ajror. Raporti nënvizon rëndësinë e garantimit të asistencës për personat me aftësi të kufizuara në çdo fazë të udhëtimit, duke filluar nga mbërritja në aeroport, procedurat e regjistrimit, lëvizja në terminale, kontrolli i sigurisë dhe deri te hipja apo zbritja nga avioni. Mungesa e mbështetjes së nevojshme gjatë këtyre proceseve mund të krijojë vështirësi dhe pengesa për pasagjerët.
Rampa ka, por problemet evidentohen në trotuare. Kurse shenjat taktile evidentohen vetëm në hyrje-dalje dhe jo në të gjitha hapësirat e aeroportit. Vendet e parkimit të rezervuara vetëm për personat me aftësi të kufizuara ekzistojnë, por janë në numër të vogël dhe shpeshherë zihen nga qytetarë të papërgjegjshëm. Kurse parkingu i ri i ndërtuar me kate pranë aeroportit nuk ofron ashensor. Në aeroport mungon edhe zona e qëndrimit e posaçme për personat me aftësi të kufizuara. Ata detyrohen të grupohen në një cep, vend aspak i përshtatshëm sidomos për personat me autizëm, të cilët kanë nevojë për qetësi. Asistenca “calling point” mungon, kurse “information desk” është i lartë dhe i paarritshëm për personat në karrocë me rrota.
Raporti ndalet edhe tek transporti hekurudhor, duke theksuar rëndësinë që standardet e aksesueshmërisë të merren në konsideratë që në fazat e projektimit dhe ndërtimit të infrastrukturës hekurudhore, në një kohë kur Shqipëria po investon në zhvillimin dhe modernizimin e rrjetit. Sipas dokumentit, stacionet, terminalet dhe sistemet e komunikimit duhet të jenë të aksesueshme për të gjithë përdoruesit. Duhet të kenë rampa, ashensorë, pllaka tactile, dyer automatike, sisteme akustike, ekrane me shkrime të mëdha, harta Braille, ambiente pritëse të dedikuara, sportele të ulëta, ndriçim të mirë dhe tualete të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara. Edhe trenat brenda duhet të jenë të aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuara dhe duhet të përmbajnë ambiente qëndrimi të dedikuara, sisteme fiksimi, hapësira të bollshme dhe tualete të aksesueshme.
Këto problematika lidhen drejtpërdrejt me të drejtat e pasagjerëve me aftësi të kufizuara, të trajtuara në raportin e dytë të Fondacionit “Së Bashku”, “Të Drejtat e Pasagjerëve me Aftësi të Kufizuara dhe Aksesi i Tyre në Transport”.
Sipas këtij publikimi, personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtë të përdorin transportin në kushte të barabarta me të gjithë qytetarët e tjerë. Ata kanë të drejtë të mos diskriminohen për shkak të aftësisë së kufizuar, të kenë akses në shërbimet e transportit, të marrin asistencën e nevojshme gjatë udhëtimit dhe të përfitojnë informacion të aksesueshëm dhe të kuptueshëm.
Raporti thekson se këto të drejta nuk duhet të mbeten vetëm në nivel parimesh, por duhet të garantohen në praktikë përmes krijimit të një sistemi transporti që i përgjigjet nevojave të të gjithë qytetarëve.