Një i burgosur shqiptar është arratisur nga burgu i Korydallos në Greqi, duke vënë në alarm autoritetet greke. Mungesa e tij është konstatuar rreth orës 09:00 të mëngjesit të së martës, kur është dhënë edhe njoftimi për arratisjen.
Sipas mediave greke, bëhet fjalë për një 48-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili po vuante një dënim të gjatë me burg për përfshirje në trafikim të lëndëve narkotike.
Raportohet se ai është larguar nga zona e depos qendrore të materialeve brenda burgut. Dyshimet paraprake tregojnë se i dënuari ka përfituar nga një moment pakujdesie i stafit, duke shfrytëzuar hapjen e derës së depos gjatë largimit të mbeturinave.
Menjëherë pas zbulimit të arratisjes, policia greke ka nisur një operacion kërkimi për gjetjen dhe arrestimin e 48-vjeçarit.