Sot, më 26 gusht, përkujtohet 116-vjetori i lindjes së Shën Nënë Terezës, një prej figurave shqiptare më të njohura në mbarë botën dhe simbol i përkushtimit ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe njerëzve në nevojë.
“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë e luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Luti shumë për fukarat e mij dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve”, janë ndër fjalët e saj në shqip që kujtohen edhe sot.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur në të gjithë botën si Nënë Tereza, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, atëherë pjesë e Perandorisë Osmane. Në moshën 18-vjeçare u largua nga vendlindja, fillimisht drejt Irlandës dhe më pas drejt Indisë, vendi ku do të zhvillonte pjesën më të madhe të misionit të saj.
Në vitin 1950, Nënë Tereza themeloi në Kalkutë Misionaret e Bamirësisë, kongregacionin që do të shtrihej më pas në shumë vende të botës, me misionin për t’u shërbyer njerëzve më të varfër dhe të braktisur.
Puna e saj mori vlerësim ndërkombëtar. Në vitin 1962 ajo mori Çmimin Ramon Magsaysay për Paqen dhe Mirëkuptimin Ndërkombëtar, ndërsa në 1979 u nderua me Çmimin Nobel për Paqen.
Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare.
Më 19 tetor 2003, Papa Gjon Pali II e shpalli të lume, ndërsa më 4 shtator 2016, Papa Françesku e shpalli shenjtore të Kishës Katolike.
Sot, 116 vjet pas lindjes së saj, emri i Nënë Terezës vazhdon të jetë i lidhur me një mesazh që kapërcen kufijtë: dashurinë dhe kujdesin për njerëzit më në nevojë.