Screenshot
Gazetarja e emisionit investigativ “Piranjat”, Jonida Mukja, ka bërë publik një rast shqetësues, duke denoncuar se është përballur me kërcënime dhe përndjekje sistematike për shkak të punës së saj.
Përmes një postimi në Instagram, gazetarja ka publikuar mesazhe ku një person i kërkon që të fshijë videot nga platformat sociale dhe të tërheqë denoncimin, duke përdorur edhe gjuhë kërcënuese.
Mukja tregon se situata nuk është e re dhe se prej rreth dy vitesh ka zgjedhur ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore, pavarësisht presionit që pretendon se ka përjetuar.
“Kam 10 vite në këtë profesion dhe e ushtroj me gjithë dashurinë e mundshme, sepse është ajo çfarë dua të bëj dhe jo çfarë më duhet. Kam marrë parasysh barrën dhe faturimin që mund të më bëhen për shkak të detyrës në çdo institucion që kam punuar”, shkruan ajo.
Gazetarja pretendon se është përndjekur sistematikisht, është kërcënuar dhe denigruar, madje se në këtë situatë janë përfshirë edhe njerëz të familjes së saj.
Pavarësisht kësaj, Mukja shprehet e vendosur se nuk do të tërhiqet nga puna e saj.
“Nuk ka për të ndodhur kurrë të tërhiqem nga detyra ime, të mbyll gojën apo të fsheh gjëra për shkak të dikujt që ka probleme me veten!”, shkruan gazetarja.
Ajo shton se nuk ka ndërmend të fshijë materiale për shkak të presionit dhe paralajmëron: “Kushdo tjetër le ta pyesë veten mirë para se të bëhet shembull.”
