Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të diel në fshatin Orizaj të Beratit, ku një 15-vjeçar ka humbur jetën pasi është mbytur në lumë.
Sipas informacioneve paraprake, viktima Fatjon Sadushi, ishte duke punuar në arë së bashku me të atin. Më pas, ai ka hyrë në lumë për t’u larë, por është marrë nga rrjedha e ujit dhe është tërhequr disa metra më poshtë.
I ati ka hyrë menjëherë në lumë në përpjekje për ta shpëtuar, por ka arritur ta nxjerrë në breg pa shenja jete.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca. Viktima është transportuar drejt morgut të Spitalit Rajonal të Beratit, ku do t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për përcaktimin e shkakut të mbytjes.
Paraprakisht dyshohet se 15-vjeçari është mbytur aksidentalisht gjatë kohës që po lahej në lumë.