Një shpërthim i fuqishëm ka shkaktuar shembjen e një godine në lagjen historike Plaka të Athinës, duke vënë në alarm autoritetet greke dhe duke nisur një operacion të madh kërkim-shpëtimi.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën Lysikratous, ku pas shpërthimit ndërtesa është shembur, duke lënë disa persona nën rrënoja. Forca të shumta të emergjencës, zjarrfikës dhe ekipet e EMAK kanë mbërritur në vendngjarje, ndërsa në kërkime janë përdorur qen të specializuar, kamera termike dhe pajisje për lokalizimin e personave të bllokuar.
Sipas informacioneve të raportuara, në godinë ndodheshin edhe persona që kishin udhëtuar drejt Athinës për turizëm, ndërsa në një prej kateve jetonte një çift i moshuar.
Mes personave që raportohet se ndodheshin nën rrënoja janë edhe tre shqiptarë: Florin Hoxha dhe Florida Hoxha, motër e vëlla, si dhe Eris Cani.
Si persona të tjerë që ndodheshin në godinë janë identifikuar Ian Alexander Kirkpatrick, Edmond Hings dhe Athina Papapresku.
Ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin dy trupa nga rrënojat, ndërsa operacioni ka vijuar për lokalizimin dhe nxjerrjen e personave të tjerë.
Paralelisht me operacionin e kërkim-shpëtimit, autoritetet greke po hetojnë shkaqet e shpërthimit. Një prej pistave të shqyrtuara është ajo e një rrjedhjeje gazi, por shkaku përfundimtar mbetet për t’u përcaktuar nga hetimet.
Ngjarja ka mobilizuar forca të shumta emergjence në një prej zonave më të njohura dhe të frekuentuara turistike të kryeqytetit grek.