Çiljeta Xhilaga ka folur hapur për jetën private, dëshirën për t’u bërë sërish nënë dhe planet që kishte bërë për këtë vit. E ftuar në emisionin “Pardon My French”, këngëtarja tregoi se prej pesë vitesh ajo dhe partneri i saj, Albani, dëshirojnë të kenë një fëmijë së bashku.
Këngëtarja zbuloi se këtë vit ishte gjendur përballë dy alternativave: të provonte fertilizimin in vitro për të pasur binjakë ose të kryente ndërhyrje estetike për të ndryshuar fizikun e saj.
“Për këtë vit unë kisha caktuar që në maj ose do të bëja një in vitro, do bëja dy binjakë, ose do të bëja një operim dhe të thithja barkun, të kthehesha edhe njëherë e dobët”, tregoi Çiljeta.
Ajo tha se mjeku për procedurën in vitro e pret prej rreth tre vitesh, por deri tani nuk e ka ndërmarrë këtë hap. Çiljeta, e cila e përshkruan veten si shumë besimtare, tregoi se ka menduar se një shtatzëni tjetër do të vijë në momentin kur trupi i saj të jetë gati.
“Unë kam pesë vjet me Albanin që donim dhe duam që të kemi një fëmijë”, u shpreh këngëtarja, duke shtuar se prej vitesh po përballet me insulinorezistencën dhe po ndjek trajtimet përkatëse.
Në fund, këtë vit Çiljeta zgjodhi t’i kushtohej fizikut të saj. Ajo tregoi se ka kryer liposuksion dhe zvogëlim të gjoksit, ndërsa planin për një shtatzëni tjetër duket se e ka shtyrë për vitin e ardhshëm.
Gjatë intervistës, këngëtarja foli edhe për raportin me famën dhe koleget e saj. “Të kisha pasur çerekun e egove të kolegeve të mia, besoj që do të kisha arritur akoma dhe më lart në jetën time”, deklaroi ajo, duke theksuar se nuk ka vuajtur asnjëherë për vëmendje dhe nuk ka pasur ambicien për të qenë me çdo kusht e para.