Këtë të mërkurë ka rënë në pranga Eno Agasi, kushëriri i Ergys Agasit, i cili u arrestua disa javë më parë në zonën e Plepave në Durrës. Mësohet se ai u prangos te Rruga e Barrikadave teksa po lëvizte me automje. Eno Agasi ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Tiranës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” pasi dyshohet se ka zhdukur nga kantina e verës në pronësi të Ergys Agasit produkte me vlerë miliona euro.
Gjithashtu Eno Agasi akuzohet për kontrabandë të mallrave që i nënshtrohen akcizës, magazinim të mallrave që paguajnë akcizë, si dhe veprime që kanë penguar zbardhjen e së vërtetës. Po ashtu ai dyshohet se ka ndërhyrë në sistemin e kamerave të sigurisë dhe ka fshirë pamjet e tyre, me qëllim pengimin e hetimit.
Koleksioni i zhdukur, i njohur si “Petrvs Pomedol”, përfshinte shishe shumë të rralla, disa prej të cilave datonin që nga viti 1922. Vera u zbulua gjatë një kontrolli të ushtruar nga agjentët e BKH-së, me urdhër të SPAK-ut, në kuadër të hetimeve për tenderat e dyshuar të manipuluar nga AKSH-i.
Për shkak se vera ishte pa pullë fiskale dhe e futur kontrabandë, Prokuroria njoftoi Drejtorinë e Doganave, e cila bëri inventarizimin për disa orë dhe përllogariti një dëm prej rreth 400 mijë eurosh ndaj buxhetit të shtetit nga mospagimi i akcizës dhe detyrimeve të tjera. Për shkak se ishte orë e vonë dhe transporti nuk mund të realizohej, malli u la nën ruajtje në ambientet e vilës.
Gjatë natës, sipas hetimeve, Eno Agasi dyshohet se ka larguar të gjithë koleksionin e verërave nga kantina, si dhe ka hequr serverin e kamerave të sigurisë. Kur mjetet e Doganës u rikthyen për të marrë mallin e sekuestruar, konstatuan se produktet nuk ndodheshin më në ambient. Sipas burimeve, vlera e një shisheje varionte nga 7 deri në 10 mijë euro, ndërsa bëhej fjalë për verëra të vjetruara nga 70 deri në 100 vjet.
Eno Agasi është arrestuar, disa javë pas kushëririt të tij, Ergys Agasit, i cili u kap teksa lëvizte me automjet së bashku me Ulian Shpatarakun në zonën e Plepave në Durrës. Ergys Agasi ishte shpallur në kërkim që prej dhjetorit 2025, pasi SPAK lëshoi urdhër-arrest ndaj tij në kuadër të hetimeve për skandalin e AKSHI-t.