Me nisjen e vitit të ri shkollor, zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ina Majko, ka përcjellë një videomesazh të fokusuar te përfshirja e fëmijëve në jetën shkollore.
“Cila është ajo fjalë që i bën fëmijët të ndihen të sigurt, më të dëgjuar dhe pjesë të shkollës?”, shprehet Majko në videomesazh, duke e lidhur përgjigjen me një sërë nismash dhe shërbimesh në mbështetje të fëmijëve.
Në mesazh përmendet pjesëmarrja e më shumë se 70 fëmijëve në hartimin e Agjendës Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2027–2030.
Majko ndalet edhe te më shumë se 5.300 fëmijë me aftësi të kufizuara, të cilët kanë në shkolla mbështetjen e më shumë se 2.600 mësuesve ndihmës.
Një tjetër pikë e përmendur është mbështetja për më shumë se 700 fëmijë romë dhe egjiptianë përmes transportit falas, bursave dhe mbështetjes pas mësimit.


Në videomesazh përmenden gjithashtu më shumë se 800 punonjës të zyrave psikosociale, si dhe 55 shërbime në 39 bashki të dedikuara për fëmijët dhe familjet e tyre.
Sipas Majkos, puna e institucioneve synon të lidhë familjen, shkollën dhe bashkinë, me fokus respektin për çdo fëmijë, pa dallim, si dhe një jetë shkollore me më shumë siguri, mbështetje dhe mundësi.


Në fund të videomesazhit vjen edhe përgjigjja e gjëegjëzës: “Përfshirja”.
“Dhe kjo është detyra jonë, kjo është detyra e qeverisë shqiptare: ta bëjë përfshirjen pjesë të jetës së çdo fëmije”, shprehet Ina Majko.