Reperi i njohur Stresi ka surprizuar ndjekësit me një vendim të papritur, duke njoftuar se do të shkëputet përkohësisht nga rrjetet sociale.
Artisti nuk ka treguar konkretisht arsyet që e kanë çuar drejt kësaj pauze, por ka bërë ndryshime drastike në profilin e tij në Instagram. Ai ka fshirë postimet e publikuara më parë, si edhe listën e personave që ndiqte.
Para largimit, Stresi ka publikuar një mesazh të gjatë për fansat, kolegët dhe të gjithë njerëzit që e kanë mbështetur ndër vite.
“Faleminderit çdo njeriu që më ka dëgjuar, çdo fansi që ka qenë aty që nga dita e parë, çdo personi që më ka mbështetur edhe kur gjërat nuk kanë qenë të lehta”, shkruan reperi.
Ai nuk ka harruar as kritikët, duke pranuar se edhe kritikat kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij, ndërsa një falënderim të veçantë ua ka drejtuar artistëve dhe njerëzve me të cilët ka ndarë muzikën, skenën dhe momente të rëndësishme të karrierës.
“Kam kaluar shumë gjëra në këtë rrugë. Kam rënë, jam ngritur, kam humbur njerëz, kam fituar njerëz… por një gjë nuk ka ndryshuar kurrë: respekti dhe dashnia për ata që më kanë qëndruar pranë”, vijon Stresi.
Megjithatë, reperi e ka bërë të qartë se vendimi nuk është një largim përfundimtar.
“Kjo nuk është lamtumirë. Thjesht po marr pak kohë për të ndërtuar diçka tjetër. Do të shihemi shumë shpejt. Dhe kur të kthehem, do të kem akoma më shumë për t’ju thënë”, përfundon ai.
Mbetet për t’u parë se çfarë po përgatit Stresi dhe çfarë fshihet pas fjalëve të tij për “diçka tjetër”, ndërsa mesazhi lë të kuptohet se rikthimi i tij nuk do të vonojë.
