Erina, një grua transgjinore nga Prishtina, ka folur hapur për jetën dhe tranzicionin e saj gjatë një interviste në emisionin “Artistët Shqiptarë”, realizuar nga Butrint Pasjaqa.
Ajo rrëfeu se që në fëmijëri e ndiente veten ndryshe dhe se rreth moshës 10-vjeçare nisi ta kuptonte më qartë identitetin e saj.
“Që në fillime e dija që jam vajzë. Nuk e dija që jam djalë. Në moshën 10-vjeçare e kam kuptuar. Nuk e shihja dot veten në pasqyrë”, tregoi Erina.
Sipas saj, familja i kërkonte të sillej si djalë dhe për një periudhë të gjatë ajo u përpoq të jetonte sipas pritshmërive të të tjerëve.
“Familja më thoshte që duhet të sillesh si djalë. Ia bëja qejfin njerëzve, por erdhi koha që të sillesha siç e ndjeja”, u shpreh ajo.
Erina tregoi se nuk ka pasur mbështetjen e familjes dhe se është përballur me ngacmime si në shkollë, ashtu edhe në shtëpi. Edhe pse është rritur në Zvicër, ajo thotë se familja ruante një mentalitet tradicional shqiptar.
Vendimi për të jetuar sipas identitetit të saj solli edhe largimin nga familja. Erina tha se sot nuk ka kontakte me familjarët dhe se distanca mes tyre vazhdon prej vitesh.
“Prej 10 vitesh jam larguar nga shtëpia që kur mora vendimin që të ndërroja gjini. Familjarët nuk më kanë kërkuar kurrë, nuk e di ku janë. Mendoja: ‘Unë i kam humbur ata’, por tani që jam rehat me veten, mendoj se ata më kanë humbur mua”, tha ajo.
Në moshën 27-vjeçare, Erina nisi procedurat mjekësore të afirmimit gjinor. Ajo tregoi se ka kryer disa ndërhyrje, përfshirë kirurgji gjenitale, ndërhyrje në fytyrë dhe gjoks, si edhe një procedurë në kordat vokale.
Sipas Erinës, vetëm ndërhyrja gjenitale ka kushtuar rreth 30 mijë euro, ndërsa shpenzimet e përgjithshme për procedurat që ka kryer kanë arritur afërsisht në 100 mijë euro.
Rrëfimi i saj prek gjithashtu marrëdhënien me familjen, vështirësitë e së kaluarës dhe mënyrën se si sot, pas një rrugëtimi të gjatë, thotë se ndihet më në paqe me veten.
Këto, si dhe shumë rrëfime të tjera të pathëna më parë nga Erina, mund t’i dëgjoni në intervistën e plotë: