Një debat i nisur në rrjetet sociale, një seri mesazhesh dhe më pas organizimi i dy grupeve për t’u përballur fizikisht. Kjo është kronologjia e një ngjarjeje që mund të kishte përfunduar me pasoja të rënda në Yzberisht, nëse Policia e Tiranës nuk do të kishte ndërhyrë në kohë, duke parandaluar një konflikt mes dhjetëra të miturve.
Sipas burimeve, gjithçka ka nisur në rrjetin social TikTok, ku një debat mes dy të miturve është përshkallëzuar fillimisht në një përplasje verbale. Komentet dhe komunikimet mes tyre, që në fillim duket se kanë qenë një konflikt i zakonshëm mes bashkëmoshatarësh, kanë marrë gradualisht një tjetër drejtim, pasi përplasja nuk ka mbetur më vetëm brenda platformës online.
Burime për mediat bëjnë me dije se të rinjtë kanë tentuar që të tregojnë forcën dhe mbështetjen që kishin në zonën ku banonin.
“Ata janë më të fortë se ne në lagje” dhe “nuk do t’i lëmë të na bëjnë të fortin” janë disa prej shprehjeve të përdorura në bisedat që paraprinë përballjen e planifikuar.
Me kalimin e orëve situata duket se ka marrë një tjetër përmasë. Nga një konflikt i nisur mes dy të miturve, numri i personave të përfshirë është zgjeruar, ndërsa grupet kanë nisur të organizohen për t’u takuar fizikisht dhe për “t’u sqaruar” mes tyre. Takimi dyshohet se ishte planifikuar në zonën e Yzberishtit, pranë rrugës “Besim Alla”, ku do të përballeshin të rinjtë e dy grupeve.
Por përplasja nuk ka arritur të ndodhë pasi fatmirësisht efektivët e Komisariatit Nr.6 kanë marrë informacion për konfliktin që po përgatitej dhe kanë ndërhyrë përpara se 23 të rinjtë të përballehsin me njëri-tjetrin. Shërbimet e policisë kanë shkuar në zonën e sinjalizuar dhe kanë konstatuar disa prej të rinjve, ndërsa situata ende nuk kishte kaluar në përplasje fizike.
Ajo që ka alarmuar efektivët ka qenë edhe fakti se disa prej të miturve kishin me vete shkopinj bejsbolli, të cilët dyshohet se do të përdoreshin gjatë konfliktit. Dy prej këtyre shkopinjve janë sekuestruar nga policia, ndërsa të miturit e konstatuar në vend janë shoqëruar në Komisariat.
Në vijim, uniformat blu kanë vijuar identifikimin e personave të tjerë që dyshohej se do të merrnin pjesë në përplasje. Në total, bëhet fjalë për 23 të mitur, të moshave nga 13 deri në 17 vjeç, ndaj të cilëve pas veprimeve procedurale ka nisur procedimi në gjendje të lirë.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Komisariatit Nr. 6 parandalon një konflikt ndërmjet dhjetëra të miturve, në Yzberisht.
Procedohen penalisht 23 shtetas të moshave 13-17 vjeç, që do të përfshiheshin në konflikt.
Sekuestrohen 2 shkopinj bejsbolli.
Menjëherë pas sigurimit të informacionit se dhjetëra të mitur do të konfliktoheshin në rrugën “Besim Alla”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë shkuar në zonën e sinjalizuar, për të parandaluar ngjarjen.
Efektivët kanë konstatuar disa të mitur të pajisur me shkopinj bejsbolli, për t’i përdorur gjatë konfliktit. Ata janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit dhe, në vijim, janë identifikuar dhe shoqëruar edhe të miturit e tjerë që do të përfshiheshin në këtë konflikt.
Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në prani të prindërve dhe psikologut, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 23 të mitur. Gjithashtu, janë sekuestruar sendet e forta.
Policia e Tiranës mbetet maksimalisht e angazhuar për të parandaluar konflikte ndërmjet të miturve dhe të rinjve, të cilat, ndonëse nisin për motive të dobëta, mund të përshkallëzojnë në ngjarje të rënda kriminale. Për të përmbushur këtë objektiv prioritar, kërkojmë bashkëpunimin intensiv të prindërve, të afërmve, miqve dhe mësuesve të të miturve, të cilët konstatojnë në përditshmëri dhe në hapësirën dixhitale indicie për ngjarje të tilla ndërmjet bashkëmoshatarëve.
Siguria e fëmijëve dhe të rinjve, prioritet absolut i Policisë së Shtetit.