Afro gati 24 orë pas të shtënave me armë që tronditën ditën e djeshme zonën e Zogut të Zi në Tiranë, në rrugën “Hysni Gërbolli”,është zbardhur plagosja e shqiptarit të Kosovës, ngjarje në të cilën mësohet se janë përfshirë pesë persona.Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se është identifikuar autori i cili plagosi me armë zjarri shtetasin nga Kosova, ndërsa thuhet se blutë janë vënë në kërkim të tij.
Sakaq bëhet me dije se ditën e sotme rënë në pranga 20-vjeçari i identifikuar si Samuel Tahiraj i njohur gjerësisht në rrjet dhe me emrin e artit si “Leumasi”. Edhe pse i kontaktuar nga mediat ditën e djeshme, pak minuta pas ngjarjes, Leumasi mohoi përfshirjen e tij në këtë ngjarje, Policia e Tiranës bën me dije se 20-vjeçari është ndër personat e përfshirë në sherr, madje theksohet se vetë ai ka mbetur i plagosur dhe ka plagosur me thikë një 18-vjeçar. Për rrjedhojë, mesditën e sotme, si rezultat i veprimeve të shpejta, të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, bëhet me dije se Samuel Tahiraj është vënë në pranga, pasi akuzohet për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Moskallëzimi i krimit”dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”.
“Në vijim të veprimeve hetimore, rezultoi se gjatë konfliktit ishte përfshirë edhe shtetasi S. T., 20 vjeç, i cili dyshohet se është konfliktuar me disa persona me sende të forta, duke mbetur i dëmtuar shtetasi A. P., 18 vjeç. Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi S. T. u arrestua në flagrancë për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”.
Ndërkohë, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit B. P., 49 vjeç, dhe S. P., 18 vjeç, pasi dyshohet se gjatë konfliktit kanë goditur me sende të forta shtetasin S. T. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën së 49-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan disa fishekë”, shkruhet në njoftimin e ndarë ditën e sotme nga Policia e Tiranës.
- Plagosje me armë zjarri te “Zogu i Zi”, një shtetas nga Kosova dërgohet me urgjencë te Trauma (DETAJET E PARA)
Sakaq, në lidhje me plagosjen e shqiptarit nga Kosova të identifikuar si Gjenk Karabegu, Policia bën me dije se plagosja e tij ndodhi pas një konfliktit të çastit në një lokal, kur shtetasi S. P., 54 vjeç qëlloi me armë zjarri dhe plagosi në këmbë 33 vjeçarin, dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Për rrjedhojë, është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërsa bëhet me dije se i plagosuri rezulton të jetë person në në kërkim nga autoritetet e Kosovës. 33-vjeçari u arrestua me qëllim ekstradimi, pasi rezulton i dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 50 ditë burgim, për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”