Një pasdite që duhej të ishte si çdo tjetër për katër fëmijë të vegjël në lagjen nr. 15 të Durrësit, u kthye në një skenë tmerri që tronditi mbarë qytetin. Në zonën e Kënetës, aty ku zakonisht dëgjohen të qeshura, zhurma biçikletash dhe zëra fëmijësh, këtë herë u dëgjuan britma, përplasje dhe lot.
Rreth orës 14:20, një automjet i drejtuar nga Nikoll Radaci doli nga rruga dhe u fut me shpejtësi në trotuar, pikërisht aty ku po luanin katër të mitur. Një hapësirë e sajuar për të luajtur. Një cep i vogël mes betonit, larg telefonave, larg botës virtuale. Një copëz fëmijërie si ajo që brezat e mëparshëm e kujtojnë sot me nostalgji.
Sepse Shqipëria është mbushur me ndërtime që kanë gllabëruar hapësirat publike, oborret dhe vendet ku fëmijët mund të rriten të sigurt. Në atë cep të vogël të lagjes, mjaftuan vetëm pak sekonda që dy jetë të pafajshme të shuheshin përgjithmonë. Dy familje hapën derën e mortit.
Trupat e vegjël të fëmijëve u goditën me forcë nga automjeti që, sipas dëshmitarëve, lëvizte “si plumb”, ndërsa dyshohet se shoferi ishte nën efektin e alkoolit. Pamjet e kamerave të sigurisë të publikuara më vonë janë rrëqethëse. Shoferi del nga makina duke ulëritur: “O Zot, ça bëra”, ndërsa në sfond dëgjohen klithmat dhe ulërimat e banorëve që vrapojnë drejt fëmijëve.
Një tjetër i mitur mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku vazhdon betejën për jetën. Vetëm njëri prej fëmijëve arriti të shpëtojë për mrekulli, duke u fshehur pas një biçiklete në çastin fatal.
Banorët e zonës janë ende në gjendje shoku.
“Ngjarje më të rëndë s’kemi parë ndonjëherë. Fëmijët i mori zvarrë. Ishte skenë horror,” tregoi një banor që ndodhej pranë vendit të aksidentit.
Një tjetër banore, mes lotësh, tha se dy nga viktimat ishin kushërinj me njëri-tjetrin.
“I kemi rritur para syve tanë. Ishin fëmijë të urtë, të vegjël… Sot lagjja është në zi.”
Kjo tragjedi ka rikthyer zemërimin e banorëve për mungesën e kontrolleve rrugore dhe për shpejtësinë me të cilën lëvizin automjetet çdo ditë në atë segment.
Sot, një lagje e tërë qan dy fëmijë që dolën për të luajtur dhe nuk u kthyen më kurrë në shtëpi. Topi ka mbetur në trotuar. Biçikletat janë të heshtura. Ndërsa prindërit përballen me një dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë.
Dhe mes gjithë kësaj tragjedie lind një pyetje që ther:
Si mund të zhvillohet një vend që vret fëmijët e tij?
Si mundet një shtet të mobilizohet me shpejtësi për stadiume gjigante, koncerte dhe fasada, ndërsa harron sigurinë e fëmijëve, trotuaret, hapësirat publike dhe jetën e atyre që janë e ardhmja e këtij vendi?
Sepse sot nuk humbën jetën vetëm dy fëmijë.
Sot humbi edhe një copë shprese.