Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, ka reaguar ashpër, pas publikimit të videos së aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe mbeti i plagosur një i tretë.
“Thirrje për gazetarët dhe drejtuesit e mediave!
Mjaft! Kjo që po ndodh nuk është gazetari – është abuzim me dhimbjen njerëzore. Nuk është informim kur dhuna, tragjedia dhe fatkeqësia kthehen në uri për klikime.
Të “vrasësh” dhe rivrasësh, të ekspozosh plagë të hapura dhe të ushqesh publikun me ulërima dhimbjeje dhe tronditjen njerëzore, është shkelje e rëndë e etikës dhe e çdo standardi.
Gazetarë dhe drejtues të mediave mbani përgjegjësi! Ju nuk jeni vetëm transmetues lajmesh – jeni formësues të ndërgjegjes publike. Çdo fjalë e papërgjegjshme lëndon, çdo titull i tepruar dëmton, çdo kufi i kaluar rrënon besimin te Ju!
Respektoni dinjitetin! Mbroni viktimat. Ndani informacion, jo traumë.
Nëse gazetaria humbet njerëzoren, ajo humbet gjithçka”, shkruan ajo.